Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Prof. Dr. Mahmud Hamdi Zakzuk njihet si filozof, dijetar islam, studjues, thirrës dhe njëkohësisht funksionar i lartë dhe i rrespektuar. Ai është ndër figurat qëndrore të zhvillimit të debatit mbi Islamin. Zëri i tij i fuqishëm reagon kundër çdo akuze drejtuar Islamit.
Me librin e tij “Të vërtetat islame”, Prof. Zakzuk, mundohet që të japë përgjigje për çdo keqkuptim apo keqinterpretim të Kur’anit Fisnik dhe me një pasion të rrallë, ruan vlerat e larta hyjnore të tij. Në filozofinë e tij ai shprehet preras kundër tiranisë dhe pro organizimit të shoqërisë mbi bazën e arsyes dhe të ligjit të Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit a.s. Është armik i intolerancës, i fanatizmit, i obstruksionit dhe mbrojtës i vlerave të larta islame. I pajisur me një zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe talent të madh për të shkruar dhe debatuar, Prof. Zakzuk, lëvron me sukses fushën e Islamit dhe jep përgjigje për çdo fenomen që shqetëson sot shoqërinë; gjithmonë duke u bazuar në librin e Allahut xh.sh dhe traditën e Muhamedit a.s.
Librin të cilin e mbani në duar, i dedikohet të gjithë shoqërisë, atyre të cilët për rrugë të veten jetësore, për sistem jete dhe bonton e kanë zgjedhur fenë e pastër Islame, si dhe atyre që për shkak të dezinformatave dhe shpifjeve të shumta, që iu kanë bërë dhe që edhe sot i bëhen fesë Islame, mbeten të pavendosur dhe bëjnë një jetë pa parime, larg frymës së asaj që vendosi Krijuesi i jetës.
Libri “Të vërtetat islame” është konceptuar kryekëput në formë të pyetjeve të cilave, me një mençuri të pashoqe dhe me një stil shumë të qartë dhe të përshtatshëm me tematikën, bën ndriçimin e shumë dukurive shoqërore, që e shqetësojnë qenien myslimane sot, si dhe ofron alternativa për tejkalimin e asaj.
Për myslimanin e sotëm, kjo vepër është edhe një klithmë e një thirrësi drejtuar atyre që gjërat mos t’i shikojnë përmes fokusit të huaj, të heqin pluhurin e hedhur para syve të tyre nga dikush tjetër. Të vërtetën ta shohin të vërtetë, të mburren me atë që janë, t’u bëhet me dije se edhe ata kanë personalitetet të cilat duhet t’i marrin për model;
figura këto shumë më të dobishme e më të pastra se “idolët” e kohës sonë.
Duke pasur pikënisje Kur’anin dhe hadithet e Muhamedit a.s. me botimin e këtij libri në gjuhën shqipe shpresojmë se do të hedhim pak dritë në errësirën e mosnjohjes së çështjeve që kanë të bëjnë me përditshmërinë, e që fatkeqësisht edhe sot mbeten tabu tema.
Njëkohësisht me botimin e këtij libri edhe në gjuhën shqipe bëhemi pjesë e zinxhirit të dijetarëve të shquar islam të cilët kanë reaguar kundër çdo akuze që në një formë ose tjetër po përsëriten ndaj Islamit sot.
Viteve të fundit ky libër është botuar disa herë nga Këshilli Suprem për Çështje Islame. Për një dobi më të gjerë, ky libër është përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, siç është dhënë edhe në Ueb faqen e veçantë të Këshillit Suprem për Çështje Islame.
“Shpresojmë që ky libër të ndihmojë në shfaqjen e imazhit të vërtetë Islam dhe në eliminimin e disa shtrembërimeve, si pasojë e mos perceptimit të saktë të mësimeve islame dhe besimit të tij.” Kjo dëshirë është e autorit. Qoftë edhe e jona! Amin.

Afrim Tahiri

 

Librin mund ta lexoni ne kete link

TE VERTETAT ISLAME

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Advertisements